KOSOVA TESTON DRONIN “SKIFTERI K1”, RREZE VEPRIMI MBI 1,000 KM
Inxhinieri kosovar Ridvan Aliju ka njoftuar dje për testimin e suksesshëm të dronit “Skifteri K1”, një mjet ajror pa pilot me kapacitete të avancuara dhe rreze veprimi mbi 1,000 kilometra.
Aliju ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga testimi, ku shihet droni duke goditur objektivin me saktësi maksimale, ndërsa ka bërë të ditura edhe specifikat teknike të tij. Sipas njoftimit, testi është realizuar nga një prej klientëve të kompanisë.
“Kosova është gati të veprojë nga ajri në distanca mbi 1,000 kilometra. ‘Skifteri K1’ ka arritur kohë fluturimi 7 orë e 12 minuta, distancë prej 1,124 kilometrash dhe kapacitet mbajtës deri në 42 kilogramë,” ka shkruar inxhinieri Ridvan Aliju.
Ai ka falënderuar ekipin e tij për realizimin e testimit, duke veçuar kontributin e Drejtorit të Operacioneve, Muhamet Ajrullahu, për punën dhe angazhimin profesional.
Disa ditë më parë, Aliju kishte bërë të ditur se në Kosovë ka nisur prodhimi i katër llojeve të ndryshme të dronëve, me kapacitete dhe përdorime të ndryshme, përfshirë edhe sektorin e mbrojtjes. Ky zhvillim vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të industrisë teknologjike dhe inovacionit në Kosovë.
