PA GJYQ DHE PA MBROJTJE: NESËR PRITET EKZEKUTIMI I 26-VJEÇARIT ERFAN SOLTANI NË IRAN

Vëmendja e opinionit ndërkombëtar është rikthyer sërish te Irani, pas raportimeve se autoritetet në Teheran po përgatiten të ekzekutojnë 26-vjeçarin Erfan Soltani, i cili dyshohet se do të jetë ekzekutimi i parë i lidhur me protestat masive antiqeveritare të muajve të fundit.

Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, Soltani është arrestuar javën e kaluar në Karaxh gjatë protestave dhe është akuzuar për “luftë kundër Zotit”, vepër që në Iran dënohet me vdekje. Rasti po trajtohet në mënyrë të përshpejtuar, pa proces gjyqësor dhe pa të drejtë mbrojtjeje ligjore.

Organizata Iran Human Rights ka bërë të ditur se familja e tij tashmë është njoftuar për vendimin dhe se ekzekutimi pritet të kryhet më 14 janar. Ndërkohë, Unioni Kombëtar për Demokraci në Iran ka deklaruar se Soltani nuk ka pasur qasje në avokat, duke e cilësuar rastin si shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut.