MAQEDONI E VERIUT: RRITET PRESIONI PËR REFORMA EKONOMIKE DHE SOCIALE

Shkup, 20 janar 2026 – Në Maqedoninë e Veriut po rritet presioni ndaj institucioneve shtetërore për përshpejtimin e reformave ekonomike dhe sociale, ndërsa sindikatat dhe organizatat qytetare po kërkojnë masa konkrete për përmirësimin e standardit të jetesës.

Çështjet kryesore që po dominojnë debatin publik lidhen me rritjen e çmimeve të produkteve bazë, pagat në sektorin publik dhe privat, si dhe nevojën për mbështetje më të madhe për familjet me të ardhura të ulëta. Përfaqësues të sindikatave kanë paralajmëruar se, nëse nuk ka reagim institucional, nuk përjashtohen protesta në ditët në vijim.

Nga ana tjetër, autoritetet kanë deklaruar se janë duke analizuar situatën ekonomike dhe se do të ndërmerren masa për të ruajtur stabilitetin financiar dhe social të vendit, në përputhje me kapacitetet buxhetore dhe obligimet ndërkombëtare.

Analistët vlerësojnë se periudha e ardhshme do të jetë kyçe për Maqedoninë e Veriut, pasi vendimet ekonomike dhe sociale do të ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin politik dhe në rrugën drejt integrimit evropian.

LSM PARALAJMËRON PROTESTA MASIVE NË MAQEDONINË E VERIUT PËR RITJE PAGASH

Shkup, 19 Janar 2026 – Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka lajmëruar se po përgatit protesta masive nëse kërkesat e tyre për rritje të pagave për të gjithë punonjësit, jo vetëm të pagës minimale, nuk plotësohen nga autoritetet përkatëse.

Sindikalistët shprehin shqetësim se pagat aktuale nuk po përballojnë kostot e jetesës për punëtorët dhe familjet, veçanërisht në sektorët me rroga më të ulëta, dhe kërkojnë një përmirësim të drejtë dhe gjithëpërfshirës të kushteve financiare për të gjithë punëtorët në vend.

Organizata paralajmëron se nëse dialogu me qeverinë dhe palët tjera të interesit nuk çon në rezultate konkrete, protestat mund të zhvillohen në forma më të gjera, duke përfshirë edhe greva apo bllokime simbolike të rrugëve.

Ky është një lajm që vjen në një kohë kur temat sociale dhe ekonomike mbeten në qendër të debatit publik në Maqedoninë e Veriut, dhe kërkesat për përmirësim të standardit të jetesës po rriten dita‑ditës.

PA GJYQ DHE PA MBROJTJE: NESËR PRITET EKZEKUTIMI I 26-VJEÇARIT ERFAN SOLTANI NË IRAN

Vëmendja e opinionit ndërkombëtar është rikthyer sërish te Irani, pas raportimeve se autoritetet në Teheran po përgatiten të ekzekutojnë 26-vjeçarin Erfan Soltani, i cili dyshohet se do të jetë ekzekutimi i parë i lidhur me protestat masive antiqeveritare të muajve të fundit.

Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, Soltani është arrestuar javën e kaluar në Karaxh gjatë protestave dhe është akuzuar për “luftë kundër Zotit”, vepër që në Iran dënohet me vdekje. Rasti po trajtohet në mënyrë të përshpejtuar, pa proces gjyqësor dhe pa të drejtë mbrojtjeje ligjore.

Organizata Iran Human Rights ka bërë të ditur se familja e tij tashmë është njoftuar për vendimin dhe se ekzekutimi pritet të kryhet më 14 janar. Ndërkohë, Unioni Kombëtar për Demokraci në Iran ka deklaruar se Soltani nuk ka pasur qasje në avokat, duke e cilësuar rastin si shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut.