AVOKATËT OPTIMISTË PËR LIRIMIN E ISH-KRERËVE TË UÇK-SË NË PRANVERË
Avokatët e angazhuar në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë kanë shprehur optimizëm se gjatë pranverës së këtij viti mund të ketë zhvillime pozitive, përfshirë edhe lirimin e tyre.
Avokati Emrush Kastrati ka vlerësuar se procesi gjyqësor është i tejzgjatur dhe thellësisht i padrejtë, duke theksuar se zvarritja e procedurave ka cenuar parimet bazë të drejtësisë. Megjithatë, ai u shpreh optimist se epilogu do të jetë pozitiv.
“Besoj se në pranverën e hershme do të kemi rezultate pozitive, sidomos pas dëshmive të dëshmitarëve kyç si Rubin, Clark dhe Hill”, u shpreh Kastrati në emisionin “FIVE”.
Edhe avokati Skendër Musa ndau të njëjtin qëndrim, duke theksuar se dëshmitarët e mbrojtjes kanë qenë dukshëm më të fuqishëm dhe më kredibilë krahasuar me ata të prokurorisë. Sipas tij, shumë nga dëshmitarët e prokurorisë kanë qenë të përgatitur nga autoritetet serbe, UNMIK-u dhe struktura të tjera ndërkombëtare.
“Ka qenë një proces i rëndë dhe sfidues jo vetëm për të akuzuarit dhe mbrojtjen, por për shqiptarët në përgjithësi, sidomos gjatë dëgjimit të dëshmitarëve të prokurorisë. Ndërkohë, gjatë vitit të fundit, dëshmitarët e mbrojtjes kanë qenë më të fuqishëm dhe më kredibilë, veçanërisht sa i përket periudhës së luftës”, tha Musa.
Ai shtoi se procesi është drejt përfundimit dhe se pritet një verdikt që do të pastrojë çdo njollë ndaj UÇK-së dhe luftës së saj çlirimtare.
