KURTI TAKOHET ME DIPLOMATËT PËR LIGJET E REJA

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një takim zyrtar me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Kosovë, së bashku me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Gjatë këtij takimi, Kurti i ka informuar ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike lidhur me zbatimin e dy ligjeve të reja, Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, të cilat tashmë kanë hyrë në fuqi.

Sipas njoftimit, këto ligje do të kalojnë në një fazë informuese tranzitore, e cila do të zgjasë deri më 15 mars, me qëllim që qytetarët, bizneset dhe palët e interesuara të njihen më mirë me ndryshimet dhe detyrimet e reja ligjore.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e transparencës dhe komunikimit të hapur me partnerët ndërkombëtarë, duke nënvizuar se zbatimi i ligjeve të reja synon përmirësimin e rendit ligjor, funksionalitetin institucional dhe përafrimin me standardet evropiane.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit diplomatikë u informuan mbi detajet praktike të zbatimit të ligjeve dhe shprehën interesimin për ndikimin e tyre në proceset administrative dhe në jetën e përditshme në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *