AVOKAT SHQIPTAR DHE DY SERBË TË LËNDUAR NË NJË INCIDENT TË ARMATOSUR NË KAFENE NË DEÇAN

Një incident i armatosur ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në një kafene në Deçan, ku kanë mbetur të lënduar tre persona. Të plagosurit janë dy shtetas serbë, D.S. dhe R.M., si dhe një avokat shqiptar, D.C.

Sipas raportimeve, i dyshuari për veprën penale “përpjekje për vrasje”, Ismet Zukaj, është arrestuar në vendin e ngjarjes.

Ngjarja është raportuar rreth 15 minuta pas mesnatës, kur janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në një lokal në Deçan. Policia e Kosovës njofton se menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, ku një zyrtar policor jashtë detyrës kishte arritur të neutralizonte dhe ndalonte të dyshuarin.

Ekipet e ndihmës së shpejtë nga Deçani u kanë ofruar ndihmën e parë të lënduarve, të cilët më pas janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës.

Me urdhër të prokurorit kompetent, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë në vijim.

Kurti takon komandantin e NATO-s në Napoli: Anëtarësimi, synim strategjik i Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, gjeneralin George M. Wikoff, ku u diskutua situata e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një synim kyç strategjik, duke e cilësuar atë si garanci për paqe të qëndrueshme, stabilitet afatgjatë dhe siguri në rajon. Ai nënvizoi se siguria e Kosovës nis nga mbrojtja e kufijve të saj.

Gjatë takimit, Kurti vlerësoi rolin historik të NATO-s, duke e cilësuar Kosovën si rrëfim suksesi të ndërhyrjes së aleancës, që ka kontribuar në çlirim, pavarësi, shtetndërtim demokratik dhe zhvillim ekonomik. Në këtë kontekst, ai shprehu falënderimin e popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s.

Kryeministri në detyrë po ashtu e uroi gjeneralin Wikoff për marrjen e detyrës së re, duke riafirmuar përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë.

Ahmeti pas fitores në Gostivar e Vrapçisht: U tentua sabotimi, por besa u ruajt

Krahas gëzimit për fitoren e AKI-së në komunat Gostivar dhe Vrapçisht, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, nga festa e mbrëmshme ngriti edhe një shqetësim që, sipas tij, nuk e kishte shprehur gjatë gjithë procesit zgjedhor.

Ahmeti deklaroi se ndaj AKI-së janë përdorur hile, veçanërisht në këto dy komuna ku zgjedhjet lokale u përsëritën për shkak të mosarritjes së pragut në raundin e parë. Sipas tij, përveç inxhinieringut politik të përdorur në komuna të tjera, në Gostivar dhe Vrapçisht është aplikuar edhe sabotimi dhe bojkoti, me qëllim që të pengohej fitorja që në rrethin e parë.

“Dua ta ndaj këtë shqetësim që nuk e kam shfaqur më herët: a do të shkelet besa e dhënë? Falënderoj çdo aktivist të BDI-së dhe ASH-së që punuan dhe vepruan së bashku për shtëpinë e përbashkët dhe për ruajtjen e besës,” u shpreh Ali Ahmeti.