KURTI NË “FLAKËN E JANARIT”, PA PËRMENDUR SKËNDERBEUN
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur sot fjalim në Akademinë Përkujtimore të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit” në Gjilan, ku ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe vlerave kombëtare si themele të shtetit të Kosovës.
Në fjalën e tij, Kurti u shpreh se kultura e kujtesës dhe traditat kombëtare janë thelbësore për përballimin e sfidave bashkëkohore dhe për ndërtimin e institucioneve të forta shtetërore. Ai vlerësoi “Flakën e Janarit” si një simbol të sakrificës, rezistencës dhe idealit për liri, që duhet të shërbejë si udhërrëfyes për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Megjithatë, vëmendje ka ngjallur fakti se edhe pse sot shënohet përvjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kryeministri Kurti nuk e përmendi figurën e tij gjatë fjalimit. Kjo mospërmendje është vërejtur nga një pjesë e opinionit publik, duke pasur parasysh peshën historike dhe simbolike të Skënderbeut për kombin shqiptar.
Akademia “Flaka e Janarit” në Gjilan mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme përkujtimore në Kosovë, e cila nderon figurat dhe momentet kyçe të historisë së rezistencës dhe luftës për liri.
